Banka e Shqipërisë pezullon licencën e institucionit financiar Micro Credit Albania: Ka shkelur me vetëdije rregulloret.

Read Time:3 Minute, 7 Second

Banka e Shqipërisë ka pezulluar licencën e institucionit financiar jobankë të kredidhënies Micro Credit Albania (MCA).

Me anë të një vendimi të marrë nga Guvernatori Gent Sejko në fund të muajit dhjetor, banka qendrore ka vlerësuar se subjekti në fjalë ka vepruar në shkelje të kërkesave rregullatore për një kohë të gjatë, në mënyrë të vetëdijshme dhe duke favorizuar palët e lidhura, më konkretisht institucionin tjetër financiar, Final.

Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016. Megjithëse është i licencuar për të gjitha format e kredidhënies, në fakt aktiviteti i kompanisë ka konsistuar kryesisht në blerjen e kredive të këqija prej institucioneve të tjera financiare dhe mbledhjen e tyre nga debitorët.

Problemet në këtë institucion financiar e kanë origjinën qysh në muajin korrik 2020, kur pranë subjektit janë evidentuar shkelje serioze të kërkesave rregullative mbikëqyrëse, për të cilat u iniciua procedura e masave administrative. Pasi subjekti u njoftua për fillimin e procedurës së masave administrative, në korrespondenca dhe takime të njëpasnjëshme me Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, ai prezantoi një sërë masash të menjëhershme për korrigjimin e situatës. Duke vlerësuar reagimin e shpejtë të subjektit dhe situatën financiare të tij (subjekti krijoi provigjonet e munguara dhe vijoi të ruante një nivel të kënaqshëm kapitali, në përputhje me licencën e marrë), procedura e masave administrative u ndërpre në 20 prill 2021.

Por, në shtator 2022, Departamenti i Mbikëqyrjes ka kryer një ekzaminim të pjesshëm pranë subjektit Micro Credit Albania, me objektiv ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të lëna pas ekzaminimit të plotë të kryer në korrik 2020. Nga ky ekzaminim ka rezultuar se rekomandimet e lëna janë realizuar vetëm pjesërisht nga subjekti, ndërsa inspektimi i fundit ka evidentuar shkelje serioze.

Subjekti nuk i ka klasifikuar kreditë në përputhje me rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve jobanka”. Gjithashtu, Micro Credit Albania nuk i ka klasifikuar të gjitha ekspozimet e një klienti në të njëjtën kategori rreziku, si ç’kërkon e njëjta rregullore. Sipas inspektimit, subjekti nuk ka kryer një analizë të plotë financiare mbi aftësinë paguese të klientëve të përmendur më sipër, por është bazuar në vetdeklarime të paverifikuara.

Një shkelje tjetër serioze është mosreflektimi në kontratat e kredive detyrimin për kufizimin e penaliteteve në masën 30% të detyrimit kontraktor, sipas ndryshimeve të rregullores “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”, që hynë në fuqi në fillim të vitit 2022.

Subjekti nuk ka as një databazë me të dhëna të plota dhe të përditësuara për të gjithë klientët e tij, në shkelje të rregullores “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Përveç faktit që shkeljet janë shtrirë në një kohë të gjatë dhe janë kryer me vetëdije, Banka e Shqipërisë argumenton se subjekti ka paraqitur përpara autoritetit mbikëqyrës një situatë joreale të cilësisë së portofolit të kredisë dhe nuk ka respektuar kërkesat rregullatore lidhur me kufizimin e masës së penaliteteve. Vlerësohet gjithashtu se shkeljet e konstatuara janë të përsëritura dhe subjekti nuk ka adresuar në mënyrë të plotë rekomandimet e ekzaminimit të mëparshëm.

Bazuar në faktet e mësipërme, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka vendosur pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë së kredidhënies, përfshirë këtu edhe blerjen e kredive të reja), për një periudhë 12-mujore, deri në fund të vitit 2023.

Gjatë kësaj periudhe, subjekti mund të vijojë të administrojë portofolin e kredive që ka të regjistruar në librat kontabël deri në fund të dhjetorit 2022, duke përfshirë arkëtimin e kësteve, ndjekjen e procedurave përmbarimore, ristrukturimin vetëm të principalit, interesit dhe maksimumit të lejuar të penaliteteve (30%), si edhe mund të shesë portofolin e kredive.

Gjatë kësaj periudhe, subjekti duhet të marrë masa për adresimin e plotë të të gjitha mangësive dhe rekomandimeve të evidentuara në raportet e ekzaminimit të Bankës së Shqipërisë./E.Shehu

Happy
Happy
100 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post <small>Ekonomia Shqiptare: Ecuria dhe sfidat e politikave ekonomike</small>
Next post Lajme kontradiktore nga ekonomia botërore